AlbanianSport.com 26/01/2021 22:20
ASNN – Presidenti i IOC-së thekson se, sidoqoftë, vaksinimi nuk është i detyrueshëm. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka inkurajuar delegacionet e ekipeve olimpike kombëtare të bëjnë vaksinat anti-Covid-19, para se të udhëtojnë për në kryeqytetin e Japonisë, aty ku nga data 23 korrik, deri 8 gusht 2021 do të mbahen Lojërat Olimpike Verore “Tokio 2020”. Një deklarim i tillë është bërë gjatë takimit “online” të presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, me 206 presidentët e Komiteteve Olimpike Kombëtare, ku u diskutuan përgatitjet për Olimpiadën Verore “Tokio 2020” dhe Lojërat Olimpike Dimërore “Pekin 2022”.
“IOC-ja do të punojë ngushtë me Komitetet Olimpike Kombëtare për të inkurajuar dhe ndihmuar sportistët, zyrtarët dhe palët tjera të interesit për t’u vaksinuar në vendet e tyre, në përputhje me udhëzimet kombëtare të imunizimit, para se të udhëtojnë drejt Japonisë”, – thuhet ndër të tjera në deklaratën për shtyp të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që më tej vijon: “Vaksinimi do të bëhet për të pasur një mjedis të sigurt gjatë Lojërave, por edhe për hir të respektit ndaj popullit të vendit organizator, i cili duhet të ndihet i sigurt se gjithçka po bëhet për të mbrojtur jo vetëm pjesëmarrësit, por gjithashtu edhe vetë popullin e Japonisë.”
Por, sipas presidentit Bah, vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm. “IOC-ja udhëhiqet nga 4 parime: Së pari të organizojë Lojërat Olimpike në një mjedis të sigurt për të gjithë, – tha ai. – Së dyti, përparësia e vaksinimit duhet t’u jepet grupeve të kërcënuar, infermierëve, mjekëve dhe të gjithëve që po i mbajnë njerëzit tanë të sigurt. Së treti, ne inkurajojmë të gjithë pjesëmarrësit olimpikë dhe paralimpik, të cilëve u ofrohet vaksinimi ta pranojnë atë. Së katërti, vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm”, – përfundoi Bahu. Në takimin “online” me presidentin Bah dhe zyrtarët e tjerë të lartë të IOC-së, mori pjesë edhe presidenti në detyrë i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Vojo Malo, por edhe ai i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.