AlbanianSport.com 31/01/2020 20:15
ASNN – Guvernatorja e prefekturës së Tokios mohoi faktin që ata po konsiderojnë pezullimin e Lojërave Olimpike për shkak të përhapjes së “koronavirusit”, i cili tashmë ka shkaktuar 260 të vdekur në Kinë, ka prekur disa vende, përfshirë edhe Japoninë. “Deri tani, nuk ka asnjë arsye që Olimpiada mund të anulohet”, – tha Koike, një nga figurat kryesore që lidhen me përgatitjet olimpike, gjatë një konferencë shtypi mbi thashethemet që janë shfaqur ditët e fundit në lidhje me këtë.
Koike foli për këtë çështje disa orë pasi Qeveria e Japonisë njoftoi vendimin e saj për të ndaluar hyrjen në vendin e njerëzve të konfirmuar se ishin infektuar nga “koronavirusi”. Ai ka prekur 14 njerëz në Japoni, sipas bilancit të fundit zyrtar, megjithëse në Kinë ka pothuajse 12,000 të infektuar, me të paktën 260 të vdekur. “Unë e di se Komiteti organizativ i “Tokio 2020” është duke ndërmarrë veprime në përgjigje të deklaratës së OBSH”, – ka thënë ajo.
“Sidoqoftë, ne kemi tashmë ekipin special për t’u përgatitur për rreziqet e mundshme në mënyrë që gjithçka të jetë e sigurt”, – shtoi guvernatorja e Tokios. E pyetur për thashethemet e cituara, Koike përsëri e mohoi atë dhe shtoi se “Qeveria e Tokios nuk ka pasur asnjë konsultim apo sinjalizim nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për këtë”. Guvernatorja e Tokios tashmë i është referuar kësaj çështje që nga 24 janari, vetëm 6 muaj pas fillimit të Lojërave Olimpike.
Guvernatorja e Tokios kujtoi se organizimi i Lojërave Olimpike ka kapërcyer probleme të tjera të mëparshme, të tilla si nxehtësia e verës në datat e planifikuara, të cilat e detyruan maratonën të transferohej në qytetin verior të Saporo.