Adriatik Balla 14.05.2015 17:55
Tirana do të përballet në fundjavë me Kukësin në një ndeshje vendimtare për fatet e sezonit, pasi luhet për pozitën e dytë në renditje dhe një vend që të çon në Ligën e Evropës. Mbrojtësi Gentian Muça, duke vënë theksin në rëndësinë e ndeshjes së radhës, tha se Tiranës i duhet medoemos fitorja. “Jemi të përqendruar për këtë ndeshje sepse na ikën dy finale të rëndësishme dhe ky është treni i fundit për në Evropë dhe do të luajmë gjithçka atje”, – deklaroi ai.
Në vijim lojtari bardheblu e pranon se në ndeshjen e radhës Tirana duhet të korrigjojë gabimet e bëra ndaj Partizanit dhe Skënderbeut. “Kemi zhvilluar lojëra të mira por nuk kemi marrë pikët dhe këtë herë nuk ka rëndësi loja por vetëm pikët edhe nëse luajmë keq, – tha Muça. – Raste kemi krijuar shumë si me Partizanin ashtu edhe me Skënderbeun. Duhet të jemi më konkretë përpara portës.” Të martën skuadra dhe tifozët diskutuan për ecurinë e këtij sezoni dhe Muça e zbulon disa detaje të bisedës së zhvilluar me ta.
“Tema kryesore e diskutimit ishte se në të keq dhe në të mirë ata janë pranë ekipit, – rrëfeu mbrojtësi bardheblu. – Na kërkuan që të jemi të motivuar deri në ndeshjen e fundit për të arritur Evropën.” Në fund, futbollisti i skuadrës kryeqytetase nuk pranoi t’i vendoste një notë ecurisë së tij dhe të ekipit gjatë këtij sezoni, por kërkoi një dhuratë nga skuadra për ditën e 28-vjetorit të lindjes së tij. “Dhurata më e bukur do të ishte fitorja në Kukës”, – përfundoi Muça.