AlbanianSport.com 17.05.2015 10:50
ASNN – Që nga viti 2012, kur nis edhe histori e përplasjeve mes Kukësit dhe Tiranës, 24-herë kampionët e Shqipërisë nuk kanë mundur të fitojnë asnjë ndeshje në impiantin verilindor.
Takimi i parë i zhvilluar në Kukës i përket Kupës së Shqipërisë në sezonin 2012-2013, dhe përfundoi me fitoren e thellë 4-0 të skuadrës vendase, që në atë kohë drejtohej nga Armando Cungu.
Vetëm dy javë pas këtij rezultati befasues, Kukësi fitoi 2-1 edhe në “Qemal Stafa”, por këtë radhë për kampionat. Humbja 3-2 në impiantin kryeqytetas në sfidën e kthimit të Kupës kishte vlerë statistikore.
Ndërsa në tri ndeshjet pasardhëse në Superiore, Kukësi fitoi me të njëjtin rezultat 2-1 në “Zeqir Ymeri” por humbi 3-1 në Tiranë. Përballjet direkte të sezonit aktual janë në favor të Tiranës me 2 fitore dhe një humbje, e pësuar po në “Zeqir Ymeri”.
Ndërsa në total Kukësi kryeson me 6 fitore, 0 barazime dhe 4 humbje me golavarazh të përgjithshëm 17-15. Kjo përballje e fundjavës midis vendittë dytë dhe të tretë nuk mund të përfundojë në barazim.
Kjo pasi një pikë i dëmton të dy ekipet, prandaj pritet të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe emocionuese, ku gabimi kushton shumë, deri në dështim të objektivave.