AlbanianSport.com 20/10/2018 11:15
ASNN – Ze Maria, mesazh emocionues tifozëve të Tiranës: Ishte nder të isha me ju, faleminderit me zemër. Ish-trajneri i Tiranës, braziliani Ze Maria i cili u shkarkua nga drejtimi i bardhebluve një javë më parë, në ikje e sipër nga Shqipëria ka përcjellë një mesazh mjaft origjinal e me shumë emocion për tifozët e Tiranës.
Madje ai ka përdorur termin “Tirona” për të përçuar më pranë lidhjen e tij me klubin dhe tifozët. Nëpërmjet rrjeteve sociale, u ka përcjellë fansave bardheblu këtë mesazh: “Ishte një nder i vërtetë të bëhesha pjesë dhe të mbroja për një periudhë kohe këto ngjyra dhe të shihja pasionin e vërtetë të këtyre tifozëve!”
“Faleminderit me zemër dhe forca TIRONA! Do të jem gjithmonë një tifoz i juaji”, – ka përfunduar ai. Në fakt, braziliani Ze Maria nuk e kishte problemin me tifozët e as me drejtuesit. Problem i Ze Marias ishte me skuadrën, e cila, për hir të së vërtetës, nuk e ka cilësinë e duhur për të pretenduar titullin “kampion”.