AlbanianSport.com 01.02.2017 18:55
ASNN – Tirana, Vllaznia dhe ajo që është padyshim surpiza e këtij sezoni, Besëlidhja, kanë marrë fitore të rëndësishme të mërkurën në ndeshjet e para të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ndërsa Laçi dhe Skënderbeu janë ndarë në barazim 1-1. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt duelin midis bardhebluve dhe verilindorëve, që u fitua nga kryeqytetasit me shifrat 2-1.
Kështu, veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur të mërkurën ndeshjet e para të çerekfinaleve dhe nuk kanë munguar surpizat. Në takimin e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, Tirana ka mundur Kukësin, duke dhuruar emocione dhe spektakël. Ndërkaq, në takimet e tjera të luajtura të mërkurën, pasdreke, në Laç, vendasit kaluan të parët në epërsi me anë të Kapanarit.
Ai shënoi në minutën e 69-të, por Osmani e shpëtoi Skënderbeun nga humbja duke gjetur rrjetën në minutën e 2-të shtesë. Në Shkodër, Vllaznisë i ka mjaftuar një supergol i shënuar nga Tafili në gjysmën e pjesës së parë, për të marrë një fitore minimale, por, të vyer ndaj Teutës. Ndërkohë, në takimin e tjetër të mbrëmjes, Besëlidhja ka dëshmuar se nuk ishte surprizë eliminimi i Partizanit, duke fituar, madje bindshëm, 2-1 në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas, në një takim ku humbi edhe një 11-metërsh.