AlbanianSport.com 19/07/2022 21:55
ASNN – Mundet 0-1 në kryeqytet nga Zrinjski i Mostarit në duelin e parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës. Tirana ka vijuar aventurën e saj evropiane në veprimtarinë e 3-të të klubeve të kontinentit, në Ligën e Konferencës, por është mundur me një gol të vetëm edhe në ndeshjen e parë të turit të dytë eliminator përballë Zrinjskit të Mostarit. Pasi është eliminuar nga Liga e Kampioneve që në turin e parë përballë luksemburgasve të Dudelonzhit, kampionia e Shqipërisë ka vijuar aventurën e saj evropiane në veprimtarinë e 3-të të klubeve të kontinentit, në Ligën e Konferencës.
Dhe të martën në mbrëmje bardheblutë kanë gjetur përballë kampionen e Bosnjë-Hercegovinës dhe takimi i parë, i luajtur në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet, ka parë miqtë të bëjnë një lojë më të mirë në çerekorën e parë, duke u shpërblyer me një 11-metërsh të fituar në minutën e 12-të dhe të shndërruar në gol nga Nemanja Bilbija. Tirana është munduar të reagojë, por është e paqartë dhe pafuqishme në përpjekjet e saj, ndërsa boshnjakët janë më cinikë dhe do të rrezikojnë në minutën e 23-të, por edhe 10 minuta më pas, si dhe në minutën e 37-të, po me autorin e golit, Bilbija.
Por gardiani bardheblu, Bekaj, mban të paprekur rrjetën e portës së tij. Me një përpjekje të bardhebluve, por ku harkimi i Ismailgecit gjen më parë portierin mik sesa Seferin dhe Hasanin, do të mbyllen 45 minutat e para. Pjesa e dytë nuk ka sjellë gola të tjerë, madje është luajtur nën nivelin mesatar, me Tiranën gjithnjë e më të paraqartë, më të pafuqishme dhe, me kalimin e kohës, edhe gjithnjë e më të lodhur fizikisht përballë boshnjakëve të kënaqur me administrimin e epërsisë, edhe pse minimale, të cilën mund edhe ta kishin thelluar në fundin e minutave shtesë, por Bekaj shpëton bardheblutë, që sidoqoftë kanë një mision të vështirë përmbysjeje në ndeshjen e kthimit.