Adriatik Balla 20.05.2015 12:55
Tirana ka mbyllur një sezon të dështuar, duke qenë jashtë çdo veprimtarie të madhe dhe gjërat do të varen shumë nga finalja e Kupës së Shqipërisë midis Kukësit dhe Laçit, ku një fitore e kuksianeve mund të ndihmojë Tiranën të përfitojë t’i zërë vendin në Ligën e Evropës, pra që të marrin pjesë të dyja, njëra si fituese e Kupës dhe tjetra duke zënë vendin e tij në kampionat si vend i dytë në klasifikim.
Humbja në Kukës ishte goditja finale për sezonin e Tiranës, që po mbyllet në mënyrë dëshpëruese dhe tifozët me të drejtë janë te zemëruar. Por mendimi i tifozëve është bërë i qartë ditën e martë, kur të qendra stërvitore e Tiranës, te kompleksi “Skënder Halili”, janë vendosur disa banderola që tregojnë pakënaqësinë e tifozëve ndaj skuadrës e drejtuesve.
“Staf, drejtues dhe lojtarë, jepni dorëheqjen”, apo “Tirona jonë nuk shitet, jepni fanellën”. Për mosarritjen e objektivave, pak ditë më parë edhe trajneri Gugash Magani dha dorëheqjen nga drejtimi i bardhebluve. Ngjarjet që po shoqërojnë Tiranën këto ditë janë dramatike, pasi klubi që mendohej e mund të ishte fitues i gjithçkaje në këtë sezon ka dalë duarbosh dhe tifozeria e irrituar për mungesën e trofeve gjatë viteve të fundit kërkon ndryshime drastike.