AlbanianSport.com 19.05.2015 22:55
ASNN – Tirana nuk është stërvitur ditën e martë. Shkak është bërë protesta e tifozëve, të cilët kishin vendosur parrulla në rrethimin e qendrës stërvitore “Skënder Halili”. Humbja me Kukësin të dielën e ka larguar Tiranën në objektivi i mbetur këtë sezon, pjesëmarrja në Ligën e Evropës. Kjo solli edhe dorëheqjen e trajnerit Gugash Magani.
E marta duhet të ishte dita e nisjes së përgatitjeve për ndeshjen e fundit të kampionatit me Teutën që do të luhet të premten në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Veprimi i tifozëve është pranuar edhe nga klubi bardheblu, që ka reaguar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Anullohet stërvitja në “Skënder Halili”, – shkruhet në njoftimin e klubit, që më pas vijon: “Seanca e parë për javën, e parashikuar të zhvillohej sot pasdite në “Skënder Halili” është anuluar. Tifozë bardheblu të revoltuar për mënyrën se si po mbyllet sezoni kanë mbyllur dyert e kompleksit stërvitor, për të mos lejuar zhvillimin e përgatitjeve.”
“KF “Tirana” e ka mirëkuptuar këtë situatë të krijuar dhe ka anuluar stërvitjen, duke i kërkuar ndjese publike tifozëve, me premtimin se shumë shpejt gjërat do të ndryshojnë”, – ka përfunduar njoftimi i klubit 24-herë kampion i Shqipërisë në profilin e vet në rrjetin social, “Facebook”.