AlbanianSport.com 22.02.2017 09:35
ASNN – Ndërsa Partizani feston suksesin e derbit, në krahun tjetër ka trishtim dhe mllef. Tirana humbi derbin me Partizanin mbrëmjen e dy ditëve më parë në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, një humbje që nuk prish punë në objektivat e skuadrës, por ka lënë shije të hidhur tek tifozët bardheblu, pasi u bënë 3 vjet që Tirana nuk fiton përballë rivalit të saj historik.
Të kuqtë fituan 2-1 dhe siguruar një trepikësh që i ndihmon mjaft në rrugëtimin e tyre këtë sezon dhe në ambiciet për titullin “kampion”. Madje me trepikëshin ndaj Tiranës Partizani u afrua ndjeshëm me Kukësin kryesues dhe me Skënderbeun rival, duke e hapur plotësisht garën e titullit. Fitorja në derbi, më shumë se sa trepikëshi vlen për moral dhe Partizani po e shijon maksimalisht këtë triumf.
Në krahun tjetër, tifozët bardheblu nuk janë dëshpëruar shumë me humbjen, e cila në ndeshje të tilla është normale, por me vendimin e klubit që ka pranuar në shtëpinë e tyre rivalin e vjetër dhe të egër. Pas humbjes bardheblutë kanë sulmuar në rrjetet sociale presidentin Refik Halili, duke e quajtur përgjegjës për disfatën dhe për mbushjen e “Selman Stërmasit” me tifozë kundërshtarë.
Tifozë kundërshtarë që, për efekt rivaliteti, bardhblutë i cilësojnë edhe si “morra të kuq”. Rrjetet sociale kanë qenë fushëbeteja e re, ku dukshëm tifozët bardheblu janë të pakënaqur, duke mos kursyet mbi të gjitha akuzat për presidentin Halili, i cili me deklaratën se nuk largohej si president pa mundur Partizanin, me sa duket ka acaruar dhe më keq tifozët, që i kujtojnë shpesh të largohet.
Kurrë më parë tifozeria bardheblu dhe sidomos tifogrupi “Tirona Fanatics” nuk kanë qenë kaq të ashpër ndaj krerëve të klubit dhe e gjitha kjo mund të lidhet vetëm me faktin se Partizani u bë “zot shtëpie” në “Selman Stërmasi”.