AlbanianSport.com 07/03/2021 14:55
ASNN – Përballja midis Kastriotit dhe Tiranës, e zhvilluar në Stadiumin e Kamzës, ishte një nga dy takimet e javës së 23-të të Kategorisë Superiore, që u luajtën të dielën pasdreke. Dhe bardheblutë e drejtuar nga trajneri Orges Shehi kanë arritur të marrin një fitore 2-1 në këtë përballje, që ishte edhe e 3-ta radhazi për ta. Tirana arrin ta gjejë golin e parë në minutën e 20-të të sfidës, kur Taulant Seferi u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 59-të, është Erjon Hoxhallari që ekzekuton në mënyrën të shkëlqyer një goditje dënimi, duke dyfishuar shifrat. Krutanët, të cilët duhet pranuar se kanë treguar një formë të mirë në këtë përballje, arritën të gjejnë rrugën e rrjetës në minutën e 66-të, me anë të De Silvas, por ky gol nuk ka mjaftuar për të shmangur humbjen.
Me këtë fitore, Tirana ngjitet në kuotën e 35 pikëve, në vendin e 5-të në renditje dhe i dërgon një sinjal të qartë Partizanit, rivales së radhës në kampionat, me të cilën do të përballet në kuadër të javës së 24-ët të Kategorisë Superiore. Ndërsa Kastrioti mbetet në vendin e 7-të, në kuotën e 28 pikëve, 9 pikë larg vendit që të dërgon në “play-out”-it midis Superiores dhe Kategorisë së Parë.
KASTRIOTI-TIRANA 1-2
Shënues: De Silva 66’/ Seferi 20’(11-m.), Hoxhallari 59’