AlbanianSport.com 24/08/2018 21:45
ASNN – Ka patur drithërima, ka patur shtylla të goditura në portat përkatëse, por edhe raste të volishme për shënim, por nuk ka arritur sidoqoftë të prodhojë gol sfida midis Tiranës dhe Teutës. Kjo ndeshje, e zhvilluar të premten në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, ishte sfida hapëse e javës së dytë të Kategorisë Superiore. Tirana ka marrë të premten pikën e parë në këto dy javë të Kategorisë Superiore, ndërsa Teuta ka marrë barazimin e dytë pa gola, sepse gjithçka është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Pjesa e parë e takimit të zhvilluar në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet ka nisur me gol për skuadrën mike. Por Latifi ka qenë dukshëm në pozicion jashtëloje në minutën e dytë e goli është anuluar. Teuta vazhdon ushtrojë trysni dhe Turtulli rrezikon me një kthim mbrapa të topit, për pak sa nuk përfiton Avdyli. Vetëm në minutën e 27-të regjistrohet gjuajtja e parë në kuadrat, kur Sentamu provon të surprizojë Hidin, por gjuajtja shumë e lehtë, përfundon në duart e portierit. 5 minuta më pas, Traore provon me një goditje të fortë nga larg.
Por reagon mirë portieri Abibi, i cili e largon topin jashtë për një goditje këndi. Dy minutat e fundit të pjesës së parë do të jenë drithëruese, pasi fillimisht është Teuta më minutën e 43-të që është pranë golin, por vetëm fati, shtylla horizontale dhe instinktet e portierit Alesio Abibi e shpëtojnë portën e Tiranës nga pësimi i golit. Në krahun tjetër të fushës, kundërpërgjigjen bardheblutë, por vetëm 3 metra larg portës, Hasani nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë. Kësisoj, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, ndërsa e dyta nis me një pretendim të Tiranës për një 11-metërsh.
Por që nuk pranohet nga gjyqtari Kridens Meta, i cili vazhdon lojën. Ndeshja do të bjerë në qetësi për 12 minutat në vijim, por në të 59-tën, Marveje largon topin, pasi Amadu Latifi kishte shmangur edhe portierin në depërtimin e tij. Teuta këmbëngul dhe, vetëm 3 minuta më vonë, Kruja fut një top të bukur në zonë, por Latifi nuk e ndjek, teksa vetëm një devijim i tij e dërgonte atë në rrjetë. Në një përsëritje identike të rastit të mëparshëm, por vetëm 3 minuta më vonë, Kruja e gjen Latifin, i cili në mënyrë të pabesueshme gabon përpara portierit të Tiranës dhe e dërgon topin jashtë.
Ka sërish 10 minuta qetësi në lojë, por brenda dy minutash, të dyja skuadrat kanë mundësi të shënojnë, fillimisht bardheblutë vendas me Sentamun, që ka gabuar me kokë shumë pranë vijës fatale në të 74-tën, ndërsa një minutë më pas, i sapofuturi Beqja provon me një goditje spektakolare nga distanca, topi rrok shtyllën e portës së Tiranës, por pa e gjetur rrjetën. Tirana këmbëngul në 8 minutat e fundit dhe, pasi Blazhevski ka shënuar një gol, por dukshëm në pozicion jashtëloje, është Kërçiku që vë në provën ish-gardianin bardheblu, Isli Hidi.
Ky i fundit reagon bukur dhe largon rrezikun në minutën e 83-të. Edhe pse Vecaj do të rrezikojë seriozisht për durrsakët në minutën e parafundit, gjithçka do të mbyllet me rrjeta të paprekura.