AlbanianSport.com 29/10/2018 19:35
ASNN – Alarm bardheblu, 0.9 pikë për ndeshje dhe golavarazh -3, Tirana në “errësirë” dhe me rrezik rënie. E ardhur nga Kategoria e Parë, pasi kishte provuar më herët që të binte nga Superiorja, klubi me më shumë trofe dhe ndër më të mëdhenjtë në vend, Tirana, duhet të korrigjonte vetveten dhe të investonte fuqishëm për të kthyer shkëlqimin e saj, të paktën atë klas që e ka karakterizuar gjithmonë.
Por skuadra bardheblu tregoi dhe në fundjavën që lamë pas se nuk është aspak një grup me pretendime për trofe. Është shumë larg objektivave dhe barazimi me Kamzën tregon gjendjen aspak të kënaqshme si në lojën e luajtur në fushë, ashtu dhe në renditje, ku vendi i shtatë i 7-të, i barabartë me pikë me vendin e 8-të nuk duket natyral për 24-herë kampionët e Shqipërisë.
Tirana ka 9 pikë në renditje dhe pozicionohet e shtata. Në dhjetë javë të zhvilluara nga ky kampionat, ajo ka fituar 0.9 pikë për ndeshje, që do të thotë shumë pak për një një skuadër me pretendime. Madje me më pak se një pikë për ndeshje, asnjë skuadër nuk mbijeton në Superiore. Formula e garës me katër faza ka treguar se skuadrat që nuk marrin mbi një pikë për ndeshje rrëzohen nga kategoria.
Dhe kjo duhet të jetë alarmante për bardheblutë kryeqytetas, teksa kujton që vetë Tirana ka rënë nga kategoria dy sezone më parë me 39 pikë. Edhe golavarazhi flet shumë. Tirana ka shënuar nëntë gola dhe ka pësuar 12. Kjo tregon se ka sulm mjaft të dobët dhe një mbrojtje të hallakatur e aspak të qëndrueshme. Vetëm Kastrioti dhe Luftëtari kanë pësuar më shumë se Tirana (20 dhe 13 gola).
Por ndërsa fitorja e fundit e gjirokastritëve ndaj krutanëve i ngjiti ata një pozicion në renditje, duke parakaluar Kamzën, për Tiranën duket se po vijnë ditë të vështira.