AlbanianSport.com 02.02.2015 19:15
ASNN – Ndeshjet e fundit të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Tirana do t’i luajë në stadiumin e saj. Kjo është garancia që kanë dhënë drejtuesit e klubit bardheblu, të cilët kanë sqaruar se vetëm në fillim të muajit maj pritet të ketë përfunduar plotësisht rikonstruksioni i pjesshëm i Stadiumit të dytë të kryeqytetit, “Selman Stërmasi”.
Stadiumi i dytë i kryeqytetit, “Selman Stërmasi”, i është nënshtruar një rikonstruksioni të pjesshëm, i cili pritet të përfundojë në fillim të muajit maj. Sipas zyrtarëve të klubit të Tiranës, që e kanë nën administrim këtë stadium, ndërhyrja në këtë impiant sportiv ishte e nevojshme duke patur parasysh degradimin e tij, si përsa i përket tapetit të gjelbërt, ashtu edhe tribunës, shkallëve dhe mjediseve të brendshme.
Drejtori ekzekutiv i klubit bardheblu, Sajmir Shehri, ka dhënë edhe detajet mbi ecurinë e punimeve. “Siç e shihni, po punohet në të gjitha frontet, pra si në përforcimin e shkallëve karshi dhe të “10-sheve”, ashtu edhe në tribunën kryesore dhe në mjediset e brendshme, pra dhomat e zhveshjeve dhe zyrat, ashtu edhe në fushën e lojës, me sistemin e drenazhimit dhe kanalizimeve”, – ka deklaruar ai.
“Pas përfundimit të punimeve, ky stadium do të ketë një kapacitet prej 8,000-9,000 vendesh, që për mendimin tonë janë mëse të mjaftueshme për ne si klub dhe për tifozët tanë, – ka vijuar Shehri. – Kjo, e ndërthurur me faktin që fusha e lojës do të jetë e re dhe shkëlqyer, ashtu sikundër do të jenë edhe mjediset dhe kushtet e brendshme, nënkupton se ky stadium do të jetë i përshtatshëm edhe për Kupat e Evropës.”
Sipas inxhinjerëve të firmës që ka marrë përsipër këtë rikonstruksion, brenda muajit mars do të përfundojë puna për tribunën kryesore, shkallët dhe mjediset e brendshme, për t’ia lënë më pas radhën shtrimit të tapetit, që gjithashtu kërkon kohën e nevojshme për t’u lidhur me shtresën e poshtme. Megjithatë, drejtuesit bardheblu janë optimistë se ndeshjet e fundit të Kategorisë Superiore, Tirana do t’i luajë në stadiumin e saj.