AlbanianSport.com 05/11/2021 23:10
ASNN – Tirana do të përballet Dinamon të shtunën të mbrëmje, vetëm pak ditë pasi u ndesh rivalen kryeqytetase në Stadiumin “Arena Kombëtare”. Në këtë ndeshje bardheblutë vijnë pas humbje në takimin e parë të turit të 16-shes së Kupës së Shqipërisë, dhe në këtë sfidë do të kërkojnë “hakmarrje” ndaj Dinamos. Para këtij takimi në konferencën për shtyp, trajneri orges Shehi, është shprehur për rëndësinë që ka kjo ndeshje dhe nëse barazimi do ishtë rezultat pozitiv për bardheblutë.
“Se çfarë do të përgatisim për këtë ndeshje do ta shohim nesër, – ka thënë ai. – Unë nuk mund të flas dot sot se si do të vendoset skuadra për nesër. Nesër do të shikoj se çfarë ndryshimesh do të bëj dhe mënyrën e lojës. Do të më kënaqte impenjimi, qëndresa e skuadrës në të tilla standarde. Sidomos në ndeshjet e tjera jo asaj të kupës, kjo gjë do të më kënaqte. Pastaj se çfarë prodhon fusha, ajo është rezultat, por e rëndësishme është që ne të dalim nga fusha me mendimin se i bëmë të gjitha.”
“Nga kartonët e kuq vetëm njëri ka qenë direkt, të tjerët kanë ardhur si pasojë e dy kartonëve të verdhë, – ka vijuar trajneri bardhblu. – Është një situatë që disa kartona edhe mund të anashkaloheshin, sepse janë marrë për arsye festimesh ose për arsye nga më të ndryshmet. Mbetet për t’u përmirësuar pasi dihet që të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm dhe në këtë aspekt duhet të jemi më të kujdesshëm. Besoj se do të ndryshoj kjo, por mendoj se vjen dhe nga agresiviteti.
“Sepse skuadra ka qenë shumë agresive dhe është diçka për t’u përshëndetur, – ka theksuar ai. – Megjithatë nuk duhet ta kalojmë masën. Koha për të përgatitur ndeshjen tjetër është shumë e pakët, vetëm dy ditë. Jemi munduar të rikuperojmë energjitë. Kemi bërë analizë për të përmirësuar gjërat, është rutinë, e bëjmë në çdo ndeshje, edhe kur fitojmë. Kemi parë ku kemi gabuar dhe besoj se do të reflektojmë nesër.”
“Sot jam para një ndeshje tjetër, është histori tjetër. Kampionati me Kupën ndryshojnë. Kupa ka dy takime dhe ka pak rotacion, jemi të përqendruar te kampionati dhe duhet të vazhdojmë me ritmin e Vllaznisë dhe atë para asaj ndeshje. Në kampionatin tonë nuk ka favoritë, por skuadra që bëjnë maksimumin. Ai që bën maksimumin, në 90% të rasteve merr atë që jep”, – ka përfunduar trajneri i Tiranës, Orges Shehi.