AlbanianSport.com 20/03/2021 14:55
ASNN – Vjen pas një humbjeje që djeg, si ajo në derbin e kryeqytetit me Partizanin dhe, për më tepër, e pret një sfidë me kryesuesen e renditjes. Më e vështirë se kaq nuk mund të bëhej për Orges Shehin, por ai nuk ka kohë për t’u ankuar. Tirana përballet të dielën me Laçin, në një ndeshje shumë të rëndësishme për të dyja ekipet, për objektivat aktualë që kanë. Duke folur para ndeshjes edhe trajneri i bardhebluve ka deklaruar se do jetë një ndeshje e vështirë, po ka shtuar se se nuk e shikon atë “si trenin e fundit për Evropën.
“Me Laçin është një betejë shumë e vështirë dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për të dyja skuadrat, – ka thënë ai. – Megjithatë nuk e shikoj si treni i fundit për Europën, sepse ka edhe shumë ndeshje në vazhdim. E shikoj si ndeshje të rëndësishme për objektivat. Gjendja e skuadrës është e mirë përveç Bekajt, që ka probleme dhe nuk do jetë nesër në lojë. Pjesa tjetër është stërvitur mirë dhe janë në gjendje për gatishmërinë në ndeshjen e nesërme. Ne, më të çlodhur se Laçi? Nuk e shoh si favor sepse kanë pasur kohë për të rikuperuar skuadrën.”
“Kanë anë psikologjike shumë të lartë dhe e kanë faktor plus sepse ana kualifikimi në Kupë të jep tjetër moral, – ka pohuar durrsaku i stolit kryeqytetas. – Sidoqoftë, ne fokusohemi te vetja dhe do bëjmë mirë detyrat tona. Humbja në derbi erdhi në një moment shumë të mirë, 3 fitore radhazi për herë të parë në këtë sezon. Në 4 ndeshjet e fundit kemi marrë 9 pikë, por e kemi trajtuar këtë situatë për të mos pasur ngarkesë emocionale dhe të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme. Është gabim të qash atë që iku dhe të mos mendosh për të ardhmen.”
“Sepse nuk duam të jemi sërish në situatën e mëparshme. Idetë dhe loja e skuadrës do kohën e vet. Në këtë situatë janë të rëndësishme pikët. E kam marrë skuadrën me koshiencë të plotë dhe do bëj maksimumin për të qenë aty ku duhet, pavarësisht situatës kur e mora skuadrën. Nuk do më dëgjoni kurrë të jem qaraman dhe të qaj gjëra të tilla. Të fokusohemi te ndeshja e nesërme. Futbolli të jep mundësinë për të rikuperuar. Unë kurrë nuk do e lë përgjegjësinë te të tjerët”, – ka përfunduar trajneri i Tiranës, Orges Shehi.