Gjergj Vyshka 09.04.2015 18:45
Tirana nuk pësoi, ashtu siç donte Magani, por as edhe nuk shënoi. Gjithçka për të dalë në finale do të vendoset ne Laç. Mirëpo barazimi pa gola, dje pasdite në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, nuk është një lajm i mirë për Tiranën, sepse ndeshjen e kthimit e ka në fushë të huaj. Tirana dominoi në lojë e raste për shënim, por i mungoi finalizimi. Magani hidhte në fushë Muzakën dhe Ndikumanën në krahët e Bushiç në repartin e sulmit, ndërsa Cungu i jepte hapësirë mes shtyllave Moçkës në 4-2-3-1.
Sinjali i parë erdhi nga bardheblutë, teksa në minutën e 7-të, krosimi i Ndikumanës nga e majta, duke parë dhe daljen e gabuar të Moçkës, e ka gjetur të pafat Currin, që me kokë godet shtyllën. Në të 13-n minutë, Argjend Mustafa vë në provë Edvan Bakajn me një goditje të fuqishme, por qendrore. Tirana është superiore në kontrollin e topit, por prapëseprapë nuk arrin të krijojë raste të pastra, ndërsa Laçi kërkon befasinë me anë të kundërsulmit.
Në minutën e 40-të, kurbinasit kanë rrezikuar të shënojnë në portën e tyre, ndërsa në fund Muzaka e detyron Moçkën të bëjë një ndërhyrje vendimtare dhe pjesa e parë mbyllet 0-0. Në 45 minutat e dyta, Magani ka futur në lojë dhe Sefën. Por problemi i Tiranës është i njëjtë, mungesa e finalizmit dhe pasimit të fundit. Në minutën e 62-të, Ndikumana, pas pasimit të Takut, mund të kishte goditur mirë me kokë. Në të 67-tën, Kahata godet fort, Moçka bëhet shpëtimtar për portën e tij.
Në minutën e 72-të, Tirana ka pretenduar për një 11-metërsh, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari kryesor, Kridens Meta. Tirana ngulmon, teksa në minutën e 86-të, Kahata ka pasur një mundësi gjuajtje. Por në fund një 0-0 e bardhë që nuk lë askënd të kënaqur tek Tirana.