AlbanianSport.com 19.10.2015 08:50
ASNN – Shkarkimi i Shkëlqim Muçës ka vënë në lëvizje drejtuesit e Tiranës për të gjetur pasuesin e tij. Një mori emrash janë në tavolinën e presidentit Refik Halilit, megjithatë deri në mbrëmje nuk ka pasur asnjë kandidat potencial. Një nga alternativat që gjithnjë lakohet për të marrë drejtimin e bardhebluve është spanjolli Hulian Rubio Sançez, një ndër trajnerët më të suksesshëm të kryeqytetasve për vitet e fundit.
Dihet raporti i tij i mirë me kreun e klubit, por edhe dashamirësia që tifozët kanë për këtë personazh. Këto janë dy faktorë që mund të shtojnë shanset për një rikthim të spanjollit në Shqipëri. Madje, edhe vetë Rubio është i gatshëm për të përsëritur këtë aventurë. I cituar nga mediat sportive të ditës, vetë trajneri e tha hapur që është gati të rikthehet, gjithnjë nëse do ta kontaktojnë.
“Këtu jam, nëse më duan, vij pa problem”, – ka thënë ai, duke vijuar: “Unë gjithnjë dua më të mirën për Tiranën. E kam ndjekur në javët e fundit, madje pashë me shumë vëmendje derbin Partizani-Tirana në internet. Muça është trajner shumë i mirë, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç e mendon. Por unë mendoj se me punë ai ekip mund të bëhet. Shpresa vdes gjithnjë e fundit”, – përfundoi Rubio.