Gjergj Vyshka 25.04.2015 14:15
Selemani Ndikumana është kryefjala e momentit në kampin e Tiranës. Sulmuesi nga Burundi u dënua me karton të kuq në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë me Laçin për shkak të një konflikti me Olsi Teqjen. Dhe Ndikumana është pezulluar dy javë nga veprimtaria, ndërsa lojtari është ende i habitur për atë që ka ndodhur në fushë dhe për sjelljen e gjyqtarit Pashaji.
“Pyes veten pse erdhi ai vendim nga ana e gjyqtarit, sepse në fushë ndodhi thjesht një kontakt loje dhe asgjë më tepër, – ka deklaruar afrikani i bardhebluve. – Nuk arrij ta kuptoj pse u ndëshkova me të kuq sepse nuk bëra asgjë. Nuk e godita Teqjen, thjesht e shtyva, sepse ai po varej në qafën time. Gjyqtari ishte mes nesh dhe pa gjithçka shumë mirë.”
Ndikumana ka përgënjeshtruar faktin se mund ta ketë pështyrë lojtarin e Laçit. “Nuk është aspak e vërtetë që kam pështyrë, madje një gjë të tillë e bëri numri 28 Veliaj ndaj meje, – ka rrëfyer ai. – Ai erdhi dhe më pështyu. Nëse Komisioni i Disiplinës ka parë në pamjet filmike gjestin e tij, atëherë duhet të thonë se çfarë kanë parë në atë që kam bërë unë?”
“Që në momentin që mora kartonin e kuq ndaj Flamurtarit jam përpjekur të evitoj kontaktet në çdo ndeshje dhe jam munduar të luaj në mënyrë korrekte. Prandaj pyes sërish veten se çfarë bëra në atë moment sepse unë nuk reagova ndaj provokimit të tij”, – ka përfunduar futbollisti i Tiranës, Selemani Ndikumana.