AlbanianSport.com 02/07/2020 21:10
ASNN – Në fakt, ka shpërthyer një valë e madhe komentesh nëpër rrjetet sociale, por edhe në mediat tradicional dhe ato në Internet dhe, pas polemikave të shumta, në përfundim të ndeshjes mes Bylisit dhe Tiranës që përfundoi me rezultatin 2-1 dhe akuzave të shumta për tolerim si dhe përfshirje në baste, ka reaguar edhe klubi i Tiranës. Bardheblutë i kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke theksuar se “kurrsesi nuk mund të bëhen pjesë e asnjë skenari të stisur”.
Sipas tyre, të gjitha këto tymnaja krijohen për të prishur harmoninë dhe pozitivitetin në skuadër si dhe për të dëmtuar imazhin e klubit. “Duke mare shkak nga situata e krijuar në media kundrejt sfidës Bylis-Tirana 1-2, KF Tirana rrëzon poshtë të gjitha akuzat drejtuar saj, – shkruhet në reagimin e klubit bardheblu. – Nënvizojmë se klubi kurrsesi nuk mund të bëhet pjesë e asnjë skenari të stisur dhe i qëndron besnike objektivave te sezonit.”
“Të gjitha këto tymnaja krijohen për të prishur harmoninë dhe pozitivitetin që mbizotëron në klub, – vijon reagimi i kryeqytetasve. – Jemi të gatshëm të analizojmë të gjithë situatën dashakeqe dhe mëse të gatshëm për ta ndjekur atë në organet kompetente. Asnjë aludim nuk mund të hedhë poshtë atë objektiv për të cilin ky ekip punon çdo ditë. Ftojmë të gjitha mediat të jenë sa më korrekte në pasqyrimin e materialeve të tyre pasi klubi ynë do të jetë transparent për gjithçka ndodh në familjen tonë.”
“KF Tirana do të ndjekë të gjithë procedurat ligjore për shpifjet e bëra mbi këtë sfidë. Ky proces do të jetë i vlefshëm për të gjithë personat që do të përpiqen të dëmtojnë imazhin e klubit më të madh në vend”, – ka përfunduar reagimi i klubit 24-herë “kampion” të Shqipërisë.