AlbanianSport.com 02.10.2015 18:55
ASNN – Shkëlqim Muça kthehet në derbi si trajner: “Një ndeshje e veçantë. Tirana luan gjithmonë për fitore”. Tirana ka zhvilluar me dyer të mbyllura edhe seancën e fundit stërvitore në prag të derbit kundër Partizanit. Trajneri Shkëlqim Muça bëri të ditur se kjo sfidë është e veçantë për lojtarët dhe tifozët, që kërkojnë gjithmonë fitoren. Stërvitjen larg objektivave të kamerave e ka kthyer në praktikë gjatë këtij sezoni.
Kështu ndodhi edhe në seancën e fundit në prag të derbit të kryeqytetit, ku trajneri i Tiranës, Shkëlqim Muça vendosi të përgatisë skuadrën me dyer të mbyllura. Sidoqoftë, trajneri e di mirë se ky rezervim nuk do largojë futbollistët e tij nga atmosfera. Si lojtar, trajner e drejtues klubi Muça shprehet se përballet Tirana-Partizani dhurojnë gjithmonë emocione dhe presion.
Muça është i qartë gjithashtu se parashikimet janë të pamundura. Por është i sigurt për atë që Tirana do kërkojë të shtunën në mbrëmje në “Qemal Stafa”. Pas pesë javëve të para të Kategorisë Superiore, skuadrat janë larg në tabelën e renditjes, me Partizanin që mban vendin e dytë me pesë pikë më shumë. Përtej klasifikimit, tifozët e Tiranës presin të thyejnë ecurinë pa fitore në derbit e sezonit të shkuar.
Sa i përket grupit të lojtarëve të gatshëm për derbin, kapiteni Ervin Bulku pritet ta nisë atë nga pankina, ndërsa ende nuk është gati Gjergji Muzaka.