AlbanianSport.com 01.12.2016 11:35
ASNN – Janë plot 146 përballje në thuajse 60 vjet histori, në një duel për zotërimin futbollistik të kryeqytetit shqiptar. Kjo është me pak fjalë ajo që do ta përkufizonte derbin e madh të kryeqytetit, midis Tiranës dhe Partizanit, që sonte luan aktin e tij të 147-të.
Dhe, sikundër çdo veprimtari madhore, edhe kjo supersfidë, që është e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe do luhet në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, të do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 18:00.
Megjithatë, të dyja palët e kanë të qartë që statistikat vlejnë pak sonte, kur Partizani vjen duke mbajtur vendin e 3-të të renditjes, me 23 pikë, ndërsa Tirana të 4-tin, me 2 pikë më pak.
Renditjen e Kategorisë Superiore e kryesojnë Kukësi dhe Skënderbeu, me nga 27 pikë secila. Të dy trajnerët, Mirel Josa dhe Sulejman Starova nuk kanë mungesa madhore për sfidën e sotme.
Prandaj, ata pritet të fusin në fushë formacionin e tyre më të mirë, në një ndeshje që ka jo pak ndikim sa i përket ecurisë së mëtejshme të dy rivaleve kryeqytetase në duelin për titull. Derbi i sotëm do të gjykohet nga kryesori Lorenc Jemini.