AlbanianSport.com 13/03/2021 20:55
ASNN – Egzon Belica dhe Jurgen Bardhi kanë rikthyer të kuqtë tek fitorja në derbin e kryeqytetit, që vishet sërish i kuq. Protagonistë u bënë lojtarët më pak të kuotuar për t’u ngjitur në skenën e supersidës së javës së 24 të Kategoprisë Superiore. Belica dhe Bardhi i rikthyen buzëqeshjen trajnerit Ilir Daja, pas asaj shuplake të rëndë përballë Skënderbeut, ndërsa Hoxhallari nuk mjaftoi për bardheblutë që në derbin e tretë sezonal treguan qartë limitet dhe forcën e kufizuar të kësaj skuadre.
Seferi është shumë pak për të vënë në mendime ekipin 16 herë “kampion” pasi Ilir Daja ndërtoi një formacion të ngjeshur në mbrojtjen e rreshtuar me 4 ndërsa funksionoi strategjia për të kaluar Belicën në zonë gjatë goditjeve standarte. Qendërmbrojtësi i dha jetë ndeshjes me një gol, që i dha zemër Partizanit. Por qetësia në kampin bardheblu u rikthye nga një gol i bukur i Hoxhallarit, që nuk i la asnjë mundësi reagimi Hoxhës.
Por në pjesë e dytë, të kuqtë gjetën edhe një gol të dytë, me autor Bardhin, që shfrytëzoi pasimin e saktë të Çinarit. Derbi i tretë sezonal i kryeqytetit rikthen kështu Partizanin te fitorja dhe mban në vallen e kreut skuadrën e Ilir Dajës, ndërsa Tirana e trajnerit Orges Shehi, mori një goditje të rëndë duke rikthyer dritëhijet e një sezoni që deri në këtë pikë mund të konsiderohet i dështuar, edhe pse ishte shpresuar se derbi mund të shërbente si shkëndijë për të rindezur shpresën bardheblu.
TIRANA – PARTIZANI 1-2
Shënues: Hoxhallari 39’ / Belica 29’, Bardhi 59’