AlbanianSport.com 26/01/2021 23:25
ASNN – Ish-portieri zëvendëson Nevil Deden e larguar para ndeshjes me Laçin. Do të jetë Orges Shehi trajneri i ri i Tiranës. Ai ka marrë kështu vendin e lënë bosh nga Nevil Dede, i cili u largua në mënyrë të papritur para ndeshjes së të hënën pasdreke me Laçin. Ka zgjatur rreth 36 orë vakuumi në stolin e Tiranës, teksa vendin e Nevil Dedes së larguar në mënyrë të papritur para ndeshjes së të hënën pasdreke me Laçin e ka marrë Orges Shehi.
Fjala.al konfirmon se ish-futbollisti i njohur durrsak është zgjedhja e Presidentit Refik Halili. Bisedimet janë zhvilluar përgjatë pasdites së të martës, teksa në lidhje me stolin e bardhebluve kryeqytetas ishin përmendur edhe ish-trajneri i Partizanit dhe Kukësit, Skënder Gega, ai i Vllaznisë dhe Laçit, Armando Cungu, por edhe trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi. Por duket se ish-portieri i njohur ndër vite i Teutës, Bylisit, Vllaznisë, Partizanit, Besës, por, sidomos i Skënderbeut, ku edhe mbylli karrierën, do të marrë në dorë drejtimin e 25-herë kampionëve të Shqipërisë.
Shehi ka njohje të vjetra me drejtorin e bardhebluve, Tefik Osmani dhe mësohet se ka qenë ky i fundit që ia ka propozuar si kandidaturë presidentit Refik Halili. Pas një karriere 24-vjeçare si lojtar, kjo do të jetë përvoja e 3-të si trajner për Orges Shehin, i cili, së fundmi, pati drejtuar Kukësin. Durrsaku e drejtoi për 13 ndeshje skuadrën verilindore, gjatë periudhës 2 mars 30 korrik 2020, teksa u largua pas rezultateve jo bindëse.
Ndërkohë në stolin e Skënderbeut, 43-vjeçari qëndroi plot 45 ndeshje, nga 18 qershori 20218, e deri më 30 qershor 2019, më pas vendin e tij më pas e zuri trajneri Ilir Daja. Përveç 7 titujve “kampion”, 4 trofeve të Kupës dhe dy të Superkupës së Shqipërisë, të fituara si lojtar, Orges Shehi ka fituar edhe trofeun e Superkupës së Shqipërisë si trajner me Skënderbeun në 2018-ën.