AlbanianSport.com 19.12.2014 19:35
ASNN – Një fitore për ta mbyllur 2014-n me sukses. Kjo është ajo që mbrojtësi i Tiranës, Gentian Muça, ka kërkuar nga skuadra e tij në përballjen e radhës, atë me Teutën. Takimi midis Tiranës së vendit të 4-t dhe Teutës së vendit të 8-të, që do të luhet të dielën, duke nisur nga ora 17:00, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në kuadër të javës së 18-të, që është edhe java e fundit e fazës së dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Tirana pret në kryeqytet Teutën, duke synuar fitoren që do ta mbante në grupin e skuadrave pretendente për titullin “kampion”. Duke folur për mediat, mbrojtësi i bardhebluve, Gentian Muça, ka vlerësuar kthimin e tifozëve, duke kërkuar nga skuadra që ta mbyllë vitin me sukses.
“Futbolli luhet për tifozët dhe dhurata më e mirë që mund t’u bëjmë atyre të dielën, është një fitore që, për më tepër, do të kthente në vallen për titull”, – ka deklaruar ai sot, gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat para nisjes së seancës stërvitore. Takimi midis Tiranës dhe Teutës, që do të luhet të dielën, duke nisur nga ora 17:00, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.