AlbanianSport.com 05.06.2015 20:00
ASNN – Shkëlqim Muça është trajneri i ri i Tiranës. Ai ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me presidentin e bardhebluve, Refik Halili. Trajneri Muça rikthehet pas disa vitesh në krye të skuadrës kryeqytetase dhe sigurisht që objektivat janë titulli “kampion” dhe pjesëmarrja në kupat e Evropës. Ai rikthehet te Tirana, pas shumë kohësh, por e ndjen veten në shtëpinë e tij. Trajneri i ri i bardhebluve ka firmosur një marrëveshje 3-vjeçare, pasi klubi ka një strategji afatgjatë në zhvillimin e tij.
Trofeun e fundit si trajner i Tiranës e fitoi në vitin 2007 dhe Shkëlqim Muça kthehet te skuadra bardheblu për të përsëritur të njëjtin sukses. Trajneri është prezantuar zyrtarisht nga klubi i kryeqytetit, me të cilin ka firmosur edhe një kontratë 3-vjeçare. “Kampion” si futbollist, trajner dhe drejtues i klubit me Tiranën, Muça e ka të lehtë të flasë për objektivat. Sipas tij, titulli “kampion” është në ADN-në e klubit bardheblu. “Ndjehem i emocionuar, pasi kthem në ekipin ku jam rritur”, – ka thënë ai.
“Dua ta rikthej Tiranën në elitën e futbollit, – ka vijuar trajneri i bardhebluve. – Ne nuk na lidh kontrata, por synimet.” Muça në këtë ekip vetëm si trajner ka fituar 7 trofe, mes tyre 3 tituj “kampion”. Por Tirana mungon edhe këtë sezon në Kupat e Evropës. Pozitive për trajnerin është koha e nevojshme për të përgatitur ekipin. “Mungojmë në Evropë, – ka pohuar trajneri i Tiranës. – Nga kjo kemi të mira dhe të këqija. Nga njëra anë na bien të ardhurat, por nga ana tjetër kemi kohë që të punojmë për sezonin e ri.”
Nuk e ka fshehur optimizmin as Presidenti i klubit, Refik Halili. Sipas tij, përvoja e Muçës do të kthejë Tiranën te suksesi i munguar në vitet e fundit. Halili ka bërë të ditur se shumë shpejt do të zgjidhen dilemat përsa u përket kontratave të lojtarëve aktualë, duke paralajmëruar edhe një ndërhyrje të fortë në merkaton e verës. Mungesa e kualifikimit për në Kupat e Evropës nuk shpejton Tiranën, që duhet të plotësojë edhe kërkesat e Muçës sa i përket lojtarëve që do të nisin sezonin e ardhshëm të Superiores.
Tirana e këtij sezoni 2015-2016 do të kushtojë rreth 900 mijë euro dhe të ardhurat kryesore do të jenë nga Stadiumi “Selman Stërmasi” që po rinovohet. Bardheblutë do të zhvillojnë aty ndehsjet brenda. Ekipi do të nisë punën më 22 qershor, ditë ku Shkëlqim Muça do të drejtojë stërvitjen e parë.