AlbanianSport.com 01.11.2016 13:10
ASNN – Futbollistët e viteve 80-të, të Tiranës, Flamurtarit të Vlorës, Flamurtarit të Prishtinës e studentë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, kanë organizuar Turneun e Parë Mbarëkombëtar të Futbollit “Ismail Qemali”. Yje të futbollit shqiptar dhe atij kosovar kanë dhuruar spektakël në Stadiumin “Flamurtari”. Në fund të turneut, trofeun e fitoi Tirana.
Kësisoj, paradoksi ndodh në Vlorë. Ndërsa ekipi i futbollit të Flamurtarit është në prag shpërbërje, pasi ka mbetur pa trajner dhe pa paga që nga fillimi i kampionatit, janë futbollistët e viteve 80-të ata që, ashtu si atëherë, edhe tani vazhdojnë të dhurojnë spektakël. Me pjesëmarrjen e ish-futbollistëve të Tiranës, Flamurtarit të Vlorës, Flamurtarit të Prishtinës dhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali” është organizuar për herë të parë turneu mbarëkombëtar “Ismail Qemali”.
Qytetarët vlonjatë kanë patur mundësinë të përjetojnë një rikthim në vitet e lavdishme të futbollit shqiptar dhe atij kosovar, ku emra të mëdhenj të futbollit, të tillë si Agustin Kola e Blendi Nallbani e shumë të tjerë nga Tirana, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Alfred Ferko, etj., nga Flamurtari, kanë dhuruar emocione të veçanta fushën e blertë të stadiumit të qytetit bregdetar.
Ndeshjet u zhvilluan me kohëzgjatje nga 45 minuta, ndërsa trofeun e fitoi pikërisht Tirana që fitoi ndeshjen e parë 3-1 me Flamurtarin e Vlorës e po me të njëjtin rezultat 3-1 edhe me Flamurtarin e Prishtinës. Veprimtaria kishte vlera më të mëdha se vetëm ndeshje futbolli. Futbolli ka bashkuar edhe një herë ata të cilët për vite me radhë ishin idhujt e futbollit shqiptar, futbollit vlonjat dhe atij kosovar.