AlbanianSport.com 03.04.2016 22:05
ASNN – Tirana ka fituar 3-0 përballë Tërbunit të Pukës, në takimin që përmbylli javën e 28-të të Kategorisë Superiore dhe që u luajt në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ka dominuar të gjithë ndeshjen duke kërkuar fitoren me çdo kusht. Elis Bakaj hap serinë e golave në minutën e 24-të, duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi minimale.
Në pjesën e dytë më pas u shënuan edhe dy golat e tjerë në minutën e 78-të dhe të 89-të, me të njëjtin autor, Bakajn, i cili u shndërrua kështu në protagonistin kryesor të këtij takimi për skuadrën e tij.
Sidoqoftë, vlen për t’u përmendur që Tirana sërish e ka zhvilluar këtë ndeshje pa praninë e tifozëve që e kanë braktisur, madje në këtë ndeshje nëpërmjet një mini-helikopteri kanë nxjerrë një mesazh mbi stadium.
Në të shkruhej “Borxhin më të madh e keni ndaj tifozëve”, duke iu referuar edhe krizës së borxheve që klubi bardheblu u ka ish-futbollistëve. Me këtë fitore Tirana mban vendin e 5-të me 44 pikë.