Adriatik Balla 13.06.2015 17:40
Sezoni i ri i Kategorisë Superiore mund të mendohet që tani me rivalitet më të madh se sa sezoni që lamë pas, nisur nga rritja e ambicieve të klubeve për dominim në kampionatin shqiptar. Interes këto ditë ka për lëvizjet në merkato dhe duket qartë se Skënderbeu dhe Partizani, nisur dhe nga nevojat që kanë për forcim të grupit për ndeshjet e tyre në Evropë, kanë më shumë preokupim se skuadrat e tjera.
Ajo që mund të cilësohet deri tani si një paqartësi dhe mungesë vizioni për vazhdimësinë ka lidhje me Tiranën, skuadër e madhe e futbollit shqiptar, e cila nuk po gjen ritmin e kërkuar dhe forcën e duhur për të formatuar shpejt grupin. Tirana po bën shumë zhurmë, por nuk ka afruar asnjë emër të spikatur në radhët e saj. Merkato është e gjatë, por një detaj bën diferencën.
Dhe ky detaj domethënës ka të bëjë me lëvizjen e fundit të Partizanit. Klubi i kuq firmosi me Sebino Plakun, sulmuesin që deri ditë më parë ishte shumë pranë akordit me bardheblutë. Në mungesë të strategjisë, por edhe dilemave të mëdha, Tirana humbi një sulmues me peshë dhe eksperiencë, që mund të ishte një përforcim cilësor për sezonin e ri. Atë që s’e bëri Tirana, e realizoi Partizani.
Të kuqtë e dominuan rivalen e tyre në sezonin që lamë pas në lojë e rezultate dhe vijojnë të jenë superiorë deri tani dhe në merkato. Zyrtarët bardheblu, përfshi dhe presidentin Refik Halili, janë shprehur gjatë këtyre ditëve se nuk do të nxitohen për të bërë blerjet e duhura, me arsyetimin se merkato është e gjatë, por Partizani po tregohet më i shkathët.
E vetmja gjë pozitive që po ndodh tek Tirana këto ditë është puna intensive për të bërë gati Stadiumin “Selman Stërmasi”, një investim i rëndësishëm i presidencës për t’i dhënë ekipit bardheblu një impiant që plotëson deri diku standardet e UEFA-s, në fund të fundit një imazh që rrit emrin e klubit bardheblu dhe ndihmon skuadrën të ketë më shumë mbështetje.