AlbanianSport.com 07/08/2019 18:15
ASNN – Futbollisti tashmë prej 10 vitesh bardheblu, Karabeci: “Nuk duhet të flasim për sezonin e kaluar, situata është optimiste”. Tirana do të synojë të lërë pas dritëhijet e viteve të fundit dhe të përqendrohet tek sezoni i ri, për të rigjetur madhështinë që i dikton historia e saj. I këtij mendimi është kapiteni i bardhebluve kryeqytetas, Erando Karabeci, i cili vlerëson edhe merkaton e bërë gjatë verës.
Një sezon i shkuar për t’u harruar ai i Tiranës, që pavarësisht pretendimeve madhore, arriti të mbijetonte mes vuajtjeve dhe telasheve të shumta. Drejtuesit bardheblu do të tentojnë t’i rikthejnë lavdinë e dikurshme 24 herë kampionëve të vendit, teksa kjo gjë shihet qartë nga afrimet e bujshme në merkato. Optimist për sezonin e ri duket dhe kapiteni i bardhebluve, Erando Karabeci.
Në një prononcim për mediat, mesfushori beson se falë afrimeve cilësore në merkato, skuadra mund të arrijë objektivat madhore. 30-vjeçari nuk ka nguruar të flasë edhe për raportet jo fort pozitive me tifozët, teksa shprehet: “Sezoni i kaluar ishte një sezon për t’u harruar kështu që nuk duhet të flasim fare për të, duhet të jetë e fshirë e të shohim para.”
“Klubi ka bërë merkato të mirë se ndryshe nga herët e tjera nuk janë marrë lojtarë që nuk njohin kampionatin, janë lojtarë të sprovuar të cilëve u dihen cilësitë, – ka vijuar ai. – Situata është optimiste, por si gjithmonë nuk duhet të flasim me fjalë por t’ua lëmë veprave, të shohim në fushën e lojës si do të jetë situata. E rëndësishme është që ta nisim sa më mirë sezonin e ri.”
“Tifozët janë të rëndësishëm për ne, sepse kur i ke ata në krah është më mirë, – ka theksuar Karabeci. – Për ata e kemi fajin vetë si të thuash, se i kemi larguar me rezultatet. Por besoj që gjëja më e mirë janë rezultatet, në momentin kur të jenë rezultatet, do na falin e mbështetin si gjithmonë. Nëse do të kemi rezultate tifozët do të jenë më të lumtur.”