AlbanianSport.com 26/01/2019 15:30
ASNN – Tirana e nis fazën e tretë të kampionatit me sfidën ndaj Kamzës. Bardheblutë dhe trajneri i tyre Ardian Mema e dinë që nuk është një kundërshtar i lehtë. Kjo u pa edhe në ndeshjen e fundit që ata zhvilluan kur 90 minutat u mbyllën në barazim 1-1. Pas fitores me Flamurtarin në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, atmosfera te Tirana është e mirë.
Ndaj edhe kundër Kamzës, trajneri Mema premton një ndeshje të bukur dhe me një rezultat pozitiv. Edhe ndaj periferikëve të kryeqytetit, trajneri bardheblu mendon të aktivizojë të njëjtët lojtarë që luajtën në sfidën me Flamurtarin. Ai është i kënaqur sepse ka parë ekuilibër në radhët e futbollistëve të vet. Por vetëkënaqësia pas fitores me Flamurtarin duket se e ka shqetësur edhe vetë drejtuesin e stolit bardheblu.
Pasi në seancën e fundit stërvitore ai u ka folur të tijve që të qëndrojnë me këmbë në tokë, sepse çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Përsa I përket Sentamusë, trajneri Mema nuk ka patur një përgjigje, duke zgjedhur të thotë vetëm se çështja e tij u takon drejtuesve të klubit.