Gjergj Vyshka 09.04.2015 23:45
Laçi vazhdon të mbetet një mace e zezë për kryeqytetasit dhe trajneri i Tiranës, Gugash Magani, nuk ka qenë i kënaqur me barazimin pa gola që skuadra e tij arriti dje në fushën e vet me kurbinasit. “E gjithë skuadra ka përgjegjësi përderisa nuk shënuam, kjo së bashku me mua, – ka thënë peqinasi i stolit bardheblu. – Tirana ka objektiva shumë më të mëdha e do të quhet dështim nëse nuk futemi në Evropë.”
“Mund të them se kaq është mundësia për momentin, megjithëse kemi dhe 90 minuta të tjerë në lojë. Nuk mund të them që ishte vetëm faji i Currit, Bulkut dhe Muçës, por mendoj që nuk luajtën mirë në grup”, – ka përfunduar trajneri Magani. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Laçit, Armando Cungu, vlerësoi lojën e skuadrës së tij. “Nuk ka lidhje nëse ia kemi marrë dorën Tiranës, apo jo”, – ka thënë ai.
“Kemi bërë paraqitje jashtëzakonisht të mira, – ka vijuar shkodrani i stolit laçjan. – Kanë qenë superior nga statistikat, e vlerësuam shumë këtë ndeshje dhe do të kërkonim vetëm shënimin e një goli. Jam shumë i kënaqur dhe akoma tepër që nuk kemi pësuar. Na mungoi finalizimi i aksioneve, por nuk ditëm të shfrytëzonim rastet edhe kur ishim në superioritet. Në ndeshjen e kthimit, detyrim fitorja.”