Adriatik Balla 20.08.2015 12:15
Klubi i Tiranës ka reaguar dje rreth zhvillimeve që shoqërojnë prej kohësh mjedisin bardheblu, nisur nga borxhet e përmendura dhe në shtyp që ka klubi kundrejt personave të tretë. Në FSHF kanë kohë që ankohen për Tiranën, që nuk ka bërë licencimin për sezonin e ri, domethënë nuk ka paguar detyrimet financiare që i detyrohet sektorit të licencimit (pavarësisht se ky sektor nuk ka mbajtur qëndrim publik rreth kësaj çështjeje). Klubi pretendon se janë bërë abuzime të rënda ligjore dhe po u jep zgjidhjen e duhur çështjeve, indirekt duke kërkuar kohë për zgjidhjen e tyre.
Në një deklaratë për mediat Tirana rreket të bindë dhe të justifikohet për këto zhvillime, duke thënë se borxhet ishin të akumuluara nga vitet e shkuara. “Më tepër se 220 mije euro janë shlyer për të mbyllur disa çështje gjyqësore, – shkruhet në këtë deklaratë. – Në të ardhmen klubi do të publikojë me transparencë të plotë emrat e personave që janë likuiduar dhe çështjet që kanë marrë zgjidhje. Gjithashtu klubi po punon për të shqyrtuar me radhë të gjitha çështjet që janë në proces apo dhe ato që kanë marrë zgjidhje jopërfundimtare. Abuzimet që janë bërë do të marrin përgjigje ligjore.”