AlbanianSport.com 27.11.2014 08:40
ASNN – Klubi i Tiranës e quan të padrejtë dënimin që iu dha nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit. Deklarata zyrtare, e postuar në rrjetin social “Facebook” e quan ndëshkimin kolektiv si të gabuar dhe të dëmshëm për komunitetin bardheblu, klubin e futbollit dhe gjithë qytetin e Tiranës. Drejtuesit zhvilluan një mbledhje pasi u mësua vendimi, takim ku u përpilua edhe deklarata dhe u mor vendimi që të ky dënim të apelohet.
Tirana u dënua të luajë 6 ndeshje jashtë fushe pa tifozë, nuk iu lejua të shlyejë financiarisht pjesën e mbetur të ndëshkimit për të luajtur pa tifozë në fushën e saj, si dhe mori gjobë prej 200 000 lekësh. Drejtuesit pohojnë se janë gati të paguajnë dëmin e shkaktuar nga tifozët në “Elbasan Arena” dhe po ashtu të paguajë gjobën e vënë nga Disiplina. Klubi akuzon Policinë e Shtetit si shkaktare të incidenteve në Shkodër dhe Elbasan, me masat e saj të pamjaftueshme.
Po ashtu theksohet se tifozët e Tiranës nuk kanë krijuar kurrë probleme në ndeshjet brenda fushe. Reagim në rrjetin social “Facebook” pati edhe nga ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Tiranës, Nevil Dede, që gjithashtu e dënoi vendimin. Sipas Dedes nuk mund të merren dënime kolektive në vitin 2014.