Adriatik Balla 20.08.2015 21:25
Një studio juridike e afruar nga klubi i Tiranë po punon për të konstatuar abuzimet dhe mbrojtur të drejtën e KF Tiranës. Gjithashtu drejtuesit po punojnë për zgjidhjen e borxheve administrative të mbartura nga koha kur klubi është menaxhuar jo mirë nga Bashkia. “Rasti i pesë ish-punonjësve që nisën dhe përfunduan procesin gjyqësor me KF Tiranën është tregues për borxhet që i janë lënë trashëgimi klubit”, – shkruan klubi bardheblu në një deklaratë për shtyp.
“Për rastin e futbollistit Ilir Kastrati, klubi po përballet juridikisht me pretendimet e palës greke, – vijon më tej deklarata. – Shifra e kërkuar është absurde. Vetëm 900 euro në vit duhen paguar në këtë rast, për kompensimin e klubit grek, që e ka formuar si futbollist lojtarin që me Tiranën luajti vetëm 12 minuta në pjesën e parë të sezonit 2013-2014. Në vazhdën e këtij qëndrimi, klubi i Tiranës kujton investimet e mëdha në infrastrukturë dhe organizimet e mëdha për nisjen e sezonit të ri, ku ambiciet janë për trofe.”
Nuk lihet pas dore edhe puna me akademinë e Tiranës. “Klubi po bën investime jashtëzakonisht të mëdha në infrastrukturë, po punon për të bërë gati skuadrën për sezonin e ri, po mendon për të tjera përforcime si dhe po punon për të përmirësuar të ardhmen që kalon nëpërmjet Akademisë bardheblu”, – përfundon deklarata për shtyp e klubit të Tiranës. Një deklaratë e tillë tregon më së miri që, Tirana si skuadër, ka probleme të mbartura dhe do ta ketë të vështirë të realizojë objektivat e saj sezonalë.