AlbanianSport.com 28.10.2015 15:20
ASNN – Tirana ka prezantuar Ilir Dajën si trajner të ri të ekipit të saj të futbollit, në një konferencë për shtyp të mbajtur në mjediset e klubit bardheblu në kryeqytet. Trajneri i ri ka kërkuar nga skuadra të ndryshojë mendësinë e të luajturit, duke ndërthurur pragmatizmin me lojën sulmuese, ndërsa Presidenti i klubit, Refik Halili, ka sqaruar edhe objektivat që i janë vënë Dajës.
Një klub dhe një stadiumi në rindërtim e sipër, si dhe një skuadër në krizë, që nuk duhet të presë zgjidhje magjike, sepse trajneri i ri bardhebluve, nuk është i tillë. Trajneri i ri i Tiranës, Ilir Daja, kërkon nga skuadra të ndryshojë mendësinë e të luajturit, duke ndërthurur pragmatizmin me lojën sulmuese. Ndërsa Presidenti i klubit bardheblu, Refik Halili, ka sqaruar edhe objektivat që i janë vënë trajnerit.
Debutimi i Ilir Dajës në stolin e Tiranës ndeshja e së dielës në kryeqytet me Kukësin. Kështu, Ilir Daja është zyrtarisht trajner i Tiranës. Mesditën e së mërkurës është arritur marrëveshja dhe drejtuesit bardheblu kanë bërë prezantimin në zyrat e klubit, pranë stadiumit “Selman Stërmasi”. Palët kishin arritur akordin paraprak në aspektin ekonomik, duke mbyllur dhe detajet juridike.
Por ajo që nuk lejonte finalizimin e kësaj marrëveshjeje ishin kërkesat e Dajës, mes të tjerave për të nisur edhe një projekt afatgjatë. Sidoqoftë, për momentin është vendosur që 49-vjeçari do të drejtojë 24 herë kampionët e Shqipërisë deri në përfundim të sezonit, me mundësi rinovimi. Pas prezantimit, Ilir Daja ka shkuar menjëherë të drejtojë skuadrën në seancën e parë stërvitore.
Në këtë mënyrë, Daja do të pasojë te Tirana të larguarin Shkëlqim Muça, për të rikthyer besimin tek ekipi dhe tek fitorja, pasi në 8 javët e para bardheblutë kanë grumbulluar vetëm 10 pikë. Ilir Daja është shpallur “kampion” si trajner me Dinamon dhe Elbasanin dhe rikthehet në aktivitet pas 5 viteve. Për momentin, stafi i tij do të përbëhet nga Egbo dhe Gozdenoviç.
Kjo ishte dyshja që drejtoi fundjavën e shkuar Tiranën në barazimin ndaj Vllaznisë në Pukë. “Titulli është i vështirë, por duhet të ecim me ritëm kampionësh”, – ka thënë trajneri i ri ndër të tjera. Sidoqoftë, sipas teknikut, skuadra duhet të gjejë ritmin e duhur në pjesën e mbetur të sezonit. Fillimisht ka ardhur firma në kontratë dhe më pas objektivat në aventurën e tij të re në Kategorinë Superiore.
Ilir Daja zëvendëson në stol Shkëlqim Muçën, por është i vetëdijshëm për pritshmëritë dhe presionin që shoqëron skuadrën bardheblu. Ish-“kampion” me Dinamon, Daja merr drejtimin e Tiranës në një periudhë jo shumë të mirë. Pas tetë javëve të para të Kategorisë Superipore, diferenca me kryesuesit është e madhe dhe titulli “kampion” është shumë larg.
Presidenti i klubit, Refik Halili shpreson që skuadra të ndryshojë sezonin nën urdhërat e Ilir Dajës duke i lënë dorë të lirë trajnerit. Pas prezantimit Ilir Daja ka zhvilluar edhe seancën e parë stërvitore me Tiranën për ndeshjen e radhës kundër Kukësit.