Adriatik Balla 24.10.2015 14:20
Tirana ka bërë surprizën të enjten, duke zgjedhur Emanuel Egbonë si trajnerin ne ri të bardhebluve. Pas dorëheqjes së Shkëlqim Muçës fundjavën e kaluar, si pasojë e barazimit me Flamurtarin, tashmë ekipi bardheblu, në krizë loje e rezultati, ka vendosur që pasuesi i Muçës të jetë pikërisht përgatitësi i portierëve, Egbo.
Vendimin e mori presidenti Refik Halili, duke iu referuar të dhënave teknike të Egbosë, por edhe eksperiencës së tij të vyer tek Bylisi sezone më parë. Një lëvizje e tillë nga klubi i Tiranës vjen në një moment kur bardheblutë po përgatiten për ndeshjen e fundjavës ndaj Vllaznisë, i cilësuar edhe si derbi i Shqipërisë.
Vllaznia ka dhënë shenja se po rilind, kurse Tirana në krizë të plotë dëshiron të bëjë kthesën e duhur këtë javë, me shpresë se do të rifutet në garën për titull. Praktikisht, Tirana me nëntë pikë në renditje është shumë larg kryesuesve, Partizanit e Skënderbeut, që kanë nga 19 pikë secili.
Megjithatë, emërimi i Egbosë ka lidhje me njohjen e teknikut me lojtarët dhe stafin në tërësi. Ndoshta kjo është dhe një lëvizje për të mos shpenzuar shumë, pasi shenjat për një buxhet në krizë janë dhënë. Presidenti Halili në fakt ka investuar, por investimi i tij nuk i përgjigjet punës që ka bërë skuadra, sepse pretendimet ishin për titull dhe tani del që Tirana nuk është e fortë sa duhet.