AlbanianSport.com 16/09/2018 23:15
ASNN – Takimi i dytë i së dielës në kuadër të javës së 4-t të Kategorisë Superiore ka qenë ai midis Tiranës dhe Luftëtarit, dy skuadrave që deri më dje mbyllnin fundin e renditjes. Takimi i zhvilluar në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, ka nisur praktikisht me gol, sepse Blazhevski do të gjejë rrugën e rrjetës për bardheblutë, pas vetëm 3 minutash.
Tirana do të vazhdojë të synojë portën e gjirokastritëve, por, përkundër rrjedhës së lojës, 11 minuta më pas, janë miqtë ata që barazojnë shifrat. Një aksion i Luftëtarit deri në zonën e Tiranës, që ka ekspozuar edhe mangësitë që skuadra kryeqytetase ka ende në mbrojtje, ka përfunduar me një goditje që devijohet nga Doka në rrjetën e tij. Por skuadra e trajnerit Ze Maria nuk do të dorëzohet dhe do të mbetet në sulm.
Aty ku nga një goditje këndi, Marvi Turtulli gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur dhe nuk e ka të vështirë të shënojë dhe ta rikthejë Tiranën në epërsi. Me disa çaste nervozizmi nga ana e portierit Ilion Lika, që i shkaktojnë drithërima bardhebluve dhe me shifrat 2-1 në favor të tyre do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të shohin fillimisht Tiranën të mbetet me 10 lojtarë në minutën e 55-të, pas daljes me karton të kuq të Hoxhallarit.
Këtë të fundit e ndjek në dhomat e zhveshjeve 16 minuta më pas edhe Nemanja Janiçiç i Luftëtarit, ndërsa në fund, teksa gjirokastritët kanë rrezikuar gjithçka për gjithçka për të gjetur golin e barazimit, është Tirana që gjen golin e 3-të, që vulos kështu fitoren e saj të parë në këto 4 javë të para të këtij sezoni të Superiores, ndërsa Luftëtari pëson disfatën e 4-t radhazi.