AlbanianSport.com 17.01.2015 16:10
ASNN – Ndonëse në një ndeshje miqësore, kryeqyteti ka gjetur të shtunën një “derbi” të harruar të tij, pasi Tirana dhe Dinamo janë përballur me njëra-tjetrën në Fushën Sportive “Skënder Halili”, dhe bardheblutë kanë fituar me një gol të vetëm të shënuar në pjesën e parë.
Derbi i vogël i kryeqytetit, ai midis Tiranës dhe Dinamos, që mungon prej 4 vjetësh sepse të dyja skuadrat luajnë në nivele të ndryshme të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, është rikthyer të shtunën në Fushën Sportive “Skënder Halili”, në një ndeshje miqësore.
Kjo përballje, që u ka shërbyer të dyja skuadrave për të matur forcat dhe për provuar lojtarët e blerë gjatë merkatos dimërore, është dominuar kryesisht nga bardheblutë, të cilët kanë arritur të gjejnë edhe golin e epërsisë në fundin e pjesës së parë, me anë të malazezit Tomisllav Bushiç.
Pjesa e dytë, edhe për shkak të ndërrimeve të shumta që bënë dy trajnerët, ai i Tiranës Gugash Magani dhe ai i Dinamos, Dritan Mehmeti, nuk ka sjellë gola të tjerë dhe bardheblutë 24-herë kampionë të Shqipërisë kanë marrë një fitore minimale ndaj rivalëve të tyre kryeqytetas 18-herë kampionë të Shqipërisë, por që prej 4 sezonesh militojnë në nivelin e dytë të futbollit shqiptar, në Kategorinë e Parë.