AlbanianSport.com 30.01.2016 21:15
ASNN – Në takimin tjetër të zhvilluar pasdreke dhe që ishte i vlefshëm për javën e 19-të të Kategorisë Superiore, Tiranës ka fituar me rezultatin 3-1 ndaj Tërbunit në fushën e këij të fundit. Janë bardheblutë ata që e gjetën të parët golin e epërsisë, me anë të Elis Bakajt, i cili realizon në minutën e 10-të, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me epërsinë minimale të miqve.
Ndonëse vendasit barazuan rezultatin në pjesën e dytë, në minutën e 59-të, me anë të Erald Markut, goli që përmbysi shifrat për Tiranën u realizua nga Gjergji Muzaka në të 75-ën minutë, me anë të një gjuajtje nga krahu i djathtë. Vetëm 5 minuta më vonë, Gentian Muça thelloi rezultatin për miqtë në 3-1 dhe ky goli i tij mbylli edhe takimin në Pukë, pasi pjesa e mbetur e lojës nuk solli gola të tjerë.
Kështu, Tirana e ka nisur me fitore gjysmën e dytë të këtij sezon, ndërsa një hap mbrapa shënuan vendasit e Tërbunit, që shohin gjithnjë e më tepër nga rikthimi i shpejtë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Me këtë fitore, Tirana kaloi Teutën duke u ngjitur në vendin e tretë me 32 pikë. Por skuadra durrsake ka një ndeshje më pak. Teuta do të luajë të dielën në Vlorë ndaj Flamurtarit të vendit të 8-të.