AlbanianSport.com 01.03.2016 11:40
ASNN – Pas ndëshkimit të Flamurtarit, Dinamos dhe Kastriotit, rrezikon heqje pikësh edhe Tirana, ndërkohë që një tjetër klub që rrezikohet është dhe Bylisi. FIFA i ka dhënë ultimatum klubit të Tiranës për të likujduar futbollistin malazez, Tomisllav Bushiç, deri më 8 mars, përndryshe do të përballet me ndëshkime, që konsistojnë fillimisht në zbritjen e pikëve nga renditja.
Ajo që shefi i sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi, pati paralajmëruar në një intervistë për AlbanianSport.com në ditët e para të shkurtit, po bëhet realitet dhe FIFA i ka dhënë ultimatum klubit të Tiranës për të likujduar futbollistin malazez, Tomisllav Bushiç. Ndonëse nuk bëhet e ditur shuma për të cilën bëhet fjalë, burime pranë klubit bardheblu kanë pohuar organizmi që qeveris futbollin botëror i ka dhënë klubit kryeqytetas afat deri më 8 mars për të shlyer detyrimet ndaj ish-lojtarit.
Tomisllav Bushiçi është një emër që Tirana e largoi për paraqitjen në fushën e lojës, por tashmë ai kërcënon me një vlerë të caktuar parash që pret nga buxheti i ekipit 24 herë kampion. Bardheblutë kanë humbur gjyqin në FIFA me lojtarin dhe tashmë shuma e pagave që ai ka pretenduar kundrejt tyre është shndërruar në borxh të detyrueshëm.
Njoftimi i fundit ka qenë në fillim të muajit shkurt dhe klubi duhet ta paguajë lojtarin brenda afatit të caktuar, pasi do të rrezikonte më pas masat sanksionuese, konsistojnë fillimisht në zbritjen e pikëve nga renditja. Kështu, pas ndëshkimit të Flamurtarit, Dinamos dhe Kastriotit, rrezikon heqje pikësh edhe Tirana, ndërkohë që një tjetër klub që rrezikohet është dhe Bylisi.