AlbanianSport.com 29.09.2015 19:35
Mbrojtësi i Tiranës, Ervin Bulku, me shumë gjasë nuk do të jetë në derbin e fundjavës ndaj Partizanit, për shkak se nuk e ka kaluar ende dëmtimin. Stafi mjekësor po punon që Bulku të jetë në fushë, por ka dyshime të mëdha për këtë. Natyrisht, Bulku është një nga pikat e forta të Tiranës, një lojtar me shpirt bardheblu, me kontribut tek kjo skuadër dhe energjik, duke qenë ndër lojtarët e preferuar të trajnerit Shkëlqim Muça.
Por në rast aktivizimi rrezikohet shumë dhe askush nuk mund ta marrë përsipër këtë risk. Për momentin skuadra është në formë të mirë dhe, pavarsisht ndonjë defekti të vogël në organizim dhe në lidhjen e reparteve, ka frymë pozitive që mund të ndikojë në rritjen e paraqitjes.
Padyshim, derbi me Partizanin shënon pikën kulmore të fazës së parë dhe të dyja skuadrat ndihen të motivuara. Partizani është më mirë në klasifikim, nuk ka humbur asnjë ndeshje dhe ka bërë progres, kurse Tirana ka një fitore, tre barazime e një humbje, duke dëshmuar për një start jo dhe aq të mirë. Derbi me të kuqtë është kështu një shans për bardheblutë që të rrisin kreditet e tyre në garë.