Adriatik Balla 11.06.2015 12:30
Tirana e mbylli sezonin pa asnjë trofe dhe e zhgënjyer nga lojërat dhe rezultatet e paqëndrueshme dhe duke humbur mundësinë të luajë në veprimtaritë evropiane, që është dhe synimi kryesor i klubeve shqiptare. Ky zhgënjim ka sjellë edhe largimin e disa lojtarëve, kryesisht elementëve cilësorë, që po shohin mundësi të reja në klubet e tjera të Superiores, ose jashtë vendit.
Një nga lojtarët që u “divorcua” me Tiranën, është mesfushori Elis Bakaj, i cili ka arritur një marrëveshje me klubin izraelit të Hapoelit të Rananas. Bakaj e ka peng që nuk arriti të fitonte trofe me Tiranën, teksa dje u përshëndet me zyrtarët, për të marrë letrat e tij dhe për të menduar tani e tutje për ekipin e ri, për të cilin thotë se e sheh si një trampolinë drejt një klubi më të mirë në Evropën Perëndimore, por edhe si një mundësi të rifitonte ftesën në ekipin kombëtar.
Nga fjalët e deklaruara prej tij dje, mund të kuptohet qartë se ai e dëshiron me të madhe kthimin titullar në përfaqësuese, por që të ndodhë kjo i duhet të luajë në një kampionat cilësor, pasi Kategoria Superiore në Shqipëri nuk ia jep këtë shans. Pikërisht për këtë arsye Bakaj do të tentojë të shfrytëzojë mundësinë izraelite për të bërë një hap cilësor në karrierën e tij. Duhet theksuar se Elis Bakaj mbetet një premtim i madh, por asnjëherë i përmbushur i futbollit shqiptar.