AlbanianSport.com 14.04.2015 22:55
ASNN – Kampionati Kombëtar i Basketbollit për Meshkuj ka njohur sonte finalisten e saj të parë dhe ajo është Tirana, e cila e ka mbyllur në dy ndeshje sfidën gjysmëfinale me rivalen kryeqytetase, Partizanin. Ndërsa çifti tjetër ka nevojë për një ndeshje shtesë, pasi Kamza Basket ka treguar se ajo humbje minimale në shtesë ndaj Vllaznisë në ndeshjen e parë ka qenë aksidentale, duke fituar bindshëm dhe thellësisht në Bathore ndaj shkodranëve dhe duke e barazuar rezultatin e sfidës.
Ashtu si ndeshja e parë, që ishte fituar nga kryesuesit e sezonit të rregullt 103-66 në “Asllan Rusi”, edhe e dyta midis Partizanit dhe Tiranës u dominua nga bardheblutë duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 80-44. Tirana ka dhënë sinjale të qarta që në fillim, duke u shkëputur ndjeshëm që në pjesën e parë, të cilën e fiton 21-7, ndërsa merr edhe të dytën 19-18 sërish në favor të bardhebluve, të cilët vijojnë ta mbyllin gjithë ndeshjen 80-44, në atë që ishte një derbi kryeqytetas pa shumë histori.
Ndërkaq, Kamza Basket ka shtyrë festën e kampionëve duke e çuar me ndeshje të tretë, që do të luhet më 18 prill 2015. Një Kamza Basket e papërmbajtur shkërmoq kampionët ndoshta edhe me diferencë të paparashikueshme, +41 pikë, duke treguar se skuadra e trajnerit Adem Muhametaj është një kandidate serioze për titull.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Meshkuj
Kalendari i “play-off”it
Gjysmëfinalet:
Ndeshja e parë
(10 prill 2015)
Të premten:
Tirana – Partizani 103-66 (1-0)
Salla Sportive “Fahrie Hoti”, Tiranë
Vllaznia – Kamza Basket 79-77 (+5’) (1-0)
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
Ndeshja e dytë
(14 prill 2015)
Të martën:
Partizani – Tirana 44-80 (0-2)
Pallati i Sportit “Asllan Rusi”, Tiranë
Kamza Basket – Vllaznia 88-47 (1-1)
Salla Sportive, Bathore
Ndeshja e 3-të*
(18 prill 2015)
Të shtunën:
Vllaznia – Kamza Basket (19:00)
Pallati i Sportit “Qazim Dervishi”, Shkodër
* Nëse do të ishte e nevojshme.