AlbanianSport.com 20/04/2019 22:05
ASNN – Shoqata e Basketbollit Femra (SHBF) e Tiranës, e trajneres Mirza Alibegaj, bëri një paraqitje mjaft të mirë në duelin e parë gjysmëfinal të “play-off”-it ndaj Flamurtarit, duke fituar me rezultatin bindës 81-69 dhe duke regjistruar fitoren e parë në këtë etapë të kampionatit, e njëherësh duke hedhur një hap drejt finales së madhe të “play-off”-it, e cila është vendimtare për fatet e sezonit.
Sa i takon ndeshjes, vlonjatet fituan vetëm çerekun e parë të saj, me shifrat 25-19, duke dhënë përshtypjen se mund ta fitonin ndeshjen. Por vajzat e trajneres Mirza Alibegaj e morën shpejt komandën e takimit në çerekun e dytë, duke ngushtuar diferencën sepse e fituan atë me shifrat 23-18. Por përmbysja e vërtetë do të ndodhte në 10-minutëshin e 3-të të lojës, ku SHBF Tirana fitoi me shifrat 17-14.
Dhe në fund të kësaj pjese, vajzat bardheblu dolën në krye duke udhëhequr ndeshjen 59-57, një epërsi që e ruajtën deri në fund, madje duke e thelluar takimin. Në 10-minutëshin e katërt SHBF Tirana kishte dominimin më të madh, pasi fitoi 20-12 dhe krejt ndeshjen 81-69, duke marrë kështu fitoren e parë në gjysmëfinalen e “play-off”-it përballë Flamurtarit të trajnerit Viron Toska.
Në fakt, është vetëm njëra ndeshje e fituar, pasi për të shkuar në finale një skuadër duhet të sigurojë dy fitore. Që të ndodhë kjo, SHBF Tirana e Alibegajt duhet të fitojë edhe duelin e kthimit në Vlorë, takim që do të luhet më 23 prill 2019. Nëse këtë ndeshje e fiton SHBF Tirana, atëherë skuadra e Mirza Alibegajt shkon në finale e madhe, në të kundërt, pra nëse fiton Flamurtari i Viron Toskës, atëherë do të duhet të luhet edhe dueli i kthimit në kryeqytet më 27 prill2019.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Faza e “Play-off”-it
Takimet e para gjysmëfinale:
E shtunë, 20 prill 2019:
SHBF Tirana – Flamurtari 81-69
(19-25, 23-18, 17-14, 20-12)
SHKBF Tirana – Vllaznia 88-45
(31-7, 22-9, 14-22, 21-7)
Takimet e dyta gjysmëfinale:
Të martën, 23 prill 2019:
Vllaznia – SHKBF Tirana
Flamurtari – SHBF Tirana