AlbanianSport.com 03.03.2016 14:20
ASNN – Partizani ndeshet të premten në mbrëmje me Tiranën dhe për trajnerët e të dy rivaleve kryeqytetase, derbi mbetet derbi. “Për mua nuk kanë rëndësi statistikat, pasi po të shikojmë titujt kampionë merr një drejtim ndryshe”, – ka deklaruar trajneri i bardhebluve, Ilir Daja, duke folur në konferencën e djeshme për shtyp. Tirana nuk fiton derbin prej 7 përballjesh, por kjo nuk do të thotë gjë për trajnerin e bardhebluve.
“Çdo trajner, çdo futbollist edhe sikur të ketë fituar 10 derbet e fundit do të kërkojë të fitojë patjetër edhe atë të radhës dhe për mua këto statistika nuk kanë rëndësi”, – ka shtuar trajneri i Tiranës, i cili nuk e fsheh se e shikon derbin si një shans për t’iu afruar të kuqve. Pavarësisht deklaratave të trajnervë derbi i radhës do të thotë shumë për titullin dhe Evropën.
Rikthime të rëndësishme do të ketë për të dy ekipet në këtë prag-derbi kryeqytetas. Te të kuqtë është gati Mentor Mazrekaj, ndërsa te bardheblutë Elis Bakaj dhe Erjon Vucaj. Takimi Partizani-Tirana do të luhet të premten në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në një trasmetim maratonë, që nis në ora 17:30 dhe vijon me ndeshjen në ora 18:00 dhe me intervistat pas saj deri në ora 20:00.