AlbanianSport.com 08.03.2016 17:05
ASNN – Tirana nuk do ta nënvlerësojë Flamurtarin, siç bëri në Kupë dhe prandaj ndeshja e së mërkurës në kampionat pritet të jetë e fortë. Duke folur në prag të këtij takimi, si trajneri i kryeqytetasve, Ilir Daja, ashtu edhe trajneri i vlonjatëve, Ramadan Zekerija, kanë theksuar se ndeshja e kampionatit është një sfidë krejt tjetër.
Flamurtari ndeshet të mërkurën me Tiranën dhe trajneri bardheblu, Ilir Daja, ka deklaruar se kjo nuk është një ndeshje revanshi për eliminimin në Kupën e Shqipërisë. Ai e fton skuadrën dhe tifozët të harrojnë humbjen në derbi. Mënyra më e mirë për tabërë këtë sipas tij është fitorja në sfidën e mesjavës kundër Flamurtarit.
Në fakt, humbja në derbi dhemb akoma, por trajneri i Tiranës, Ilir Daja fton skuadrën e tij ta harrojë atë dhe të përqendrohet te sfida e radhës kundër Flamurtarit. Të mërkurën në orën 14:00 bardheblutë do të zbresin në stadiumin “Selman Stërmasi” për t’u kthyer te fitorja në Superligës.
Fitorja ndaj Flamurtarit do të sillte paqen edhe me tifozët që nuk e pritën aspak mirë humbjen e radhës ndaj rivalëve të përjetshëm të Partizanit. Faktori fushë duket se anon nga Tirana, por përballja e fundit në “Selman Stërmasi” kundër Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë u fitua nga vlonjatët.
Ndërsa për trajnerin e vlonjatëve, Ramadan Zekerija, skuadra e ka kapërcyer barazimin zhgënjyes me Tërbunin dhe Tirana nuk do ta nënvlerësojë Flamurtarin, siç bëri në Kupë. Takimi Tirana-Flamurtari luhet të mërkurën në kryeqytet, duke nisur nga ora 14:00.