AlbanianSport.com 07/02/2024 17:15
ASNN – Fiton 3-0 në kryeqytet në takimin që erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Takimi që ka ulur siparin e javës së 8-të të Superligës së femrave, ka qenë takimi që u luajt në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, midis Tiranës dhe Pogradecit. Në fakt, kjo sfidë, ka rezultuar një rrugë me një kalim për skuadrën bardheblu, e cila e ka mbyllur gjithçka në 3 sete, brenda 64 minutash.
Pas takimeve të javës së 5-të të fazës së grupeve të Ligës Mbarëkombëtare “Gjergj Kastrioti”, është rikthyer Kampionati Kombëtar i Volejbollit për Femra, me ndeshjet e javës së 8-të të nivelit më të lartë të tij, Superligës, që është edhe java e parë e fazës së dytë. Dhe takimi që ka ulur siparin e kësaj jave ka qenë takimi që u luajt në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, midis Tiranës dhe Pogradecit.
Seti i parë ka qenë paksa më i luftuar, me liqenorët që përpiqen të bëjnë rezistencë, por vajzat bardheblu e marrin këtë set 25-20. Dy setet e tjera nuk kanë patur shumë histori, pasi Tirana e drejtuar nga trajneri veteran, Hasan Guarabardhi, i ka fituar të dy, përkatësisht 25-16 dhe 25-17 dhe gjithë ndeshjen 3-0.
Me këtë fitore, që ishte e 6-ta në këto 8 javë për vajzat bardheblu, Tirana mbetet në vendin 3-të të renditjes, tashmë në kuotën e 18 pikëve, 3 më pak se kampionia në fuqi, Partizani, që mban vendin e dytë, dhe 4 më pak sesa Skënderbeu kryesues. Ndërsa Pogradeci mbetet në vendin e 5-të, me 9 pikë, po aq sa ka edhe Vllaznia. Java e 9-të e Superligës së Femrave luhet të premten dhe të shtunën.