AlbanianSport.com 20/03/2021 11:55
ASNN – Në një ndeshje ku bardheblutë do të kërkojnë të rikthehen te rezultatet pozitive, pas humbjes në derbi me Partizanin javën e kaluar, Tirana përballet të dielën me Laçin, skuadrën që edhe ka marrë e vetme kreun e renditjes së Kategorisë Superiore. Në prag të kësaj ndeshje, krahas trajnerit Orges Shehi, për mediat ka folur kapiteni i bardhebluve, Idriz Batha, i cili është shprehur se Tirana luan për fitore ndaj çdo kundërshtari.
“Në momentin ku ndodhemi, është një sfidë e rëndësishme me Laçin, me skuadrën më në formë të momentit, – ka thënë ai. – Është e rëndësishme dhe më e vështirë për ne. Këtu nuk ka nevojë për motivim, të gjithë e dinë rëndësinë e fanellës dhe të fitojmë ndaj çdo kundërshtari. Në planin personal, shpresoj për një tjetër supergol ndaj Laçit. Megjithatë, e rëndësishme është të shënojmë, jo kush shënon. Nuk është momenti dhe sezoni i duhur i Tiranës.”
“Por e kemi thënë disa herë se kemi pasur probleme fizike me disa lojtarë përfshirë edhe veten dhe nuk ka pasur lojtarë të tjerë, – ka vijuar 28-vjeçari i bardhebluve. – Merkato nuk doli siç prisnim ne të gjithë, ashtu siç kërkohet te Tirana. Megjithatë me lojtarët që kemi, kemi mundësi për të bërë më shumë. Tirana do fitoren ndaj çdo kundërshtari në çdo sezon. Këtë aktualin kemi parë se nuk ka asnjë pretendent kryesor dhe janë të ngjeshur.”
“Ekipi i vendit të fundit ka fituar me vendin e parë”, – ka shtuar mesfushori, i cili ka folur edhe për deklaratën e presidentit Refik Halili, i cili ka deklaruar “Ose titullin ose fare Evropën”. “Unë nuk mendoj kështu. Sigurisht që ne të gjithë duam të jemi “kampionë” në çdo vit, por duke parë vështirësitë që po kalojmë, edhe me Evropën do kënaqeshim”, – ka përfunduar futbollisti i Tiranës, Idriz Batha.