AlbanianSport.com 28/10/2018 12:30
ASNN – Të shtunën pasdite u luajtën dy ndeshjet e para të javës së 10-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar dhe, në kryeqytet, Kamza u përball me Tiranën, kurse në Vlorë Flamurtari u përplas me Teutën. Të dyja ndeshjet prodhuan të njëjtin rezultat, barazim 1-1. Tirana tregoi dhe një herë tjetër se nuk di të fitojë dhe pas ndeshjes trajneri Ardian Mema deklaroi se nuk ka ardhur në krye të ekipit t’u mësojë lojtarëve se si luhet futboll, se kjo nuk është detyrë e tij, gjë që tregon se Tirana ka problem me kualitetin e grupit.
“Është për të ardhur keq, që në të dy rastet kemi pësuar gola pas gabimeve tona foshnjarake, – tha trajneri. – Edhe në Vlorë, por edhe sot, kemi pësuar gola tërësisht të evitueshëm, që nëse do t’i kishim shmangur, do ishim folur për një situatë krejt tjetër. Jemi ndëshkuar nga disa lloj gabimesh, në të cilat nuk hyn fare roli i trajnerit, pasi nuk janë probleme rreshtimi, apo interpretimi të lojës. Siç e thashë, po pësojmë gola fëmijërorë dhe unë nuk jam këtu për të stërvitur fëmijë, por futbollistë. Këto gabime që kemi bërë në këto dy ndeshje, mësohet që të mos bëhen, që në hapat e parë të futbollit.”
“Nuk jam për të ndëshkuar lojtarë, apo për të çuar mesazhe, por situata është e këtillë”- shtoi ai. Ishte një ndeshje deri diku e barabartë dhe golat erdhën në pjesën e dytë. Për Tiranën shënoi Sentamu në minutën e 60-të, por në minutën e 65-të barazoi japonezi Fukui për Kamzën. Kjo ndeshje nuk e kënaqi aspak trajnerin Mema që nuk i kurseu kritikat për ekipin e tij. “Është fati im i keq, që në këto ditë të para, jam përballur edhe me dëmtime të shumta, që nuk më kanë lejuar të përzgjedh më të mirët”, – ka përfunduar trajneri bardheblu.